ITU Pilot Project

Për të siguruar krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë, Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU) ka zhvilluar Udhëzuesit për Mbrojtjen e Fëmijëve në Internet (Child Online Protection – COP) në vitin 2009. Me kërkesë të shteteve anëtare, Udhëzimet e Mbrojtjes së Fëmijëve në Internet (Udhëzimet COP) janë përditësuar dhe implementuar zyrtarisht në Qershor 2020, në të gjashtë gjuhët zyrtare të OKB-së (arabe, kineze, angleze, frënge, ruse, spanjolle).

Këto materiale të përditësuara synojnë të rrisin ndërgjegjësimin në fushën e mbrojtjes së fëmijëve në internet, duke ofruar burime dhe mjete që mbështesin fëmijët, prindërit dhe mësuesit në zhvillimin e aftësive digjitale dhe edukimit digjital, si dhe industrinë dhe palët e interesuara në zhvillimin e politikave dhe strategjive të mbrojtjes së fëmijëve në internet në nivel kombëtar.

Në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike (NCA) të Mbretërisë së Arabisë Saudite, ITU zhvilloi Projektin Global “Krijimi i një hapësire kibernetike të sigurt dhe të begatë për fëmijët”, si pjesë e një partneriteti strategjik të nisur në dhjetor të vitit 2020. Projekti Global synon të zbatojë Udhëzuesit COP të ITU 2020 përmes dy shtyllave kryesore: zhvillimi i aftësive digjitale dhe mbështetja e politikave.

Për më shumë detaje, hyni në faqen e dedikuar të ITU-së ose kontrolloni Shënimin e Konceptit të Projektit (si PDF).

Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) u angazhua për t’u bërë vendi i parë pilot në botë për Projektin Global ITU. Projekti filloi në Shtator të vitit 2021 dhe u mbyll në Dhjetor të vitit 2023. Në këtë kuadër, ITU ka mbështetur AKCESK-un në nxjerrjen e Udhëzuesve COP në nivel kombëtar, organizimin e trajnimeve dhe workshop-eve, dhe përgatitjen e materialeve dhe fushatave ndërgjegjësuese që synojnë të rrisin kapacitetet dhe ndërgjegjësimin në nivel kombëtar të të gjithë aktorëve përgjegjës për mbrojtjen e fëmijëve dhe grupeve të interesit, veçanërisht fëmijëve, të rinjve, prindërve dhe mësuesve.

Në këtë faqe gjenden të publikuara iniciativat e përbashkëta në të gjithë sektorët përkatës për të garantuar sigurinë në internet për fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri. Gjithashtu, paraqitet informacion rreth aktiviteteve të zhvilluara dhe të zbatuara në kuadër të Projektit Global, me synimin për të vepruar si një kornizë referimi për vendet e tjera të Evropës, të cilat mund të ishin të interesuara për t’u bërë një vend përfitues për zbatimin e mbrojtjes së fëmijëve në internet financuar nga Projekti Global.

Versioni në gjuhën shqipe i Udhëzimeve COP të ITU u prezantua gjatë sesionit “Politikat kombëtare për të rritur sigurinë e fëmijëve në internet” në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Internetit të Sigurt, më 9 Shkurt 2021, organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike në bashkëpunim me ITU.

Projekti u përmbyll me workshop-in me temë “Një dekadë ndërgjegjësim për sigurinë online të fëmijëve” të organizuar nga AKCESK në bashkëpunim me ITU, ku AKCESK prezantoi rezultatet e projektit dhe aktivitetet e zhvilluara për implementimin e këtij projekti në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Projekti ka pasur në fokus grupet e interesit si fëmijët dhe të rinjtë, mësuesit, prindërit dhe punonjësit social, si dhe subjekte të sektorit të industrisë.
Pjesëmarrës ishin institucione shtetërore që kanë në fokus mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve si Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, Policia e Shtetit, përfaqësues nga Ofruesit e Shërbimit të Internetit (ISP), gjithashtu dhe shumë organizata joqeveritare përfaqësues të shoqërisë civile, ku gjatë diskutimeve treguan punën e tyre të vazhdueshme në mbrojtje të fëmijëve, ngritën problematika në lidhje me boshllëqet ligjore dhe nevojën e ndryshimeve të legjislacionit, si dhe diskutuan mbi urat e bashkëpunimit dhe projektet potenciale në të ardhmen ndërmjet institucioneve kompetente, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare partnere si ITU.

Rezultatet e projektit janë si vijon:

1.Tre video promovuese bazuar në përmbajtjen e Udhëzimeve të ITU mbi mbrojtjen e fëmijëve në internet, të cilat u shpërndanë përmes mediave kombëtare shqiptare online:

  • Një video e animuar në gjuhën shqipe me mesazhe kyçe për fëmijët dhe të rinjtë, për t’i edukuar ata mbi sigurinë në internet.
  • Një video në gjuhën shqipe për prindërit, mësuesit, dhe kujdestarët në nivel kombëtar për t’i informuar mbi rreziqet dhe mbrojtjen e fëmijëve në internet.
  • Një video në gjuhën shqipe për operatorët e industrisë për të dhënë udhëzime se si mund të mbrohen fëmijët nga kërcënimet në internet.

2.  Manual për fëmijët në gjuhën shqipe. Ky material u bazua në Udhëzimin COP të ITU dhe ka shërbyer si një dokument bazë për seminare dhe sesione trajnimi për fëmijë dhe të rinj në disa shkolla të përzgjedhura në 12 (dymbëdhjetë) qarqe të Shqipërisë. Manuali synonte t’u siguronte fëmijëve dhe të rinjve informacion për t’i ndihmuar më tej ata të përballojnë rreziqet që hasin në internet.

3.  Përgatitja e Manualit “Train the Trainer” në gjuhën shqipe. Manuali u bazua në Udhëzimet COP të ITU që shërbyen si një dokument bazë në programet e trajnimit për mësuesit, prindërit dhe kujdestarët në nivel kombëtar, me qëllim për t’i përgatitur në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve në internet.

4. Përgatitja dhe shpërndarja e një Mesazhi të Unifikuar me aktorët më me ndikim të industrisë në Shqipëri. Mesazhi i Unifikuar synoi të rrisë ndërgjegjësimin se si mund të rritet siguria në internet për fëmijët dhe të krijojë një hapësirë të sigurt kibernetike përmes këshillave praktike.

5. Hartimi i Raportit të Ndikimit që vlerëson nivelin e ndërgjegjësimit dhe të të mësuarit (para dhe pas trajnimit) për të gjitha trajnimet dhe seminaret e zhvilluara me grupet e mëposhtme:

  • fëmijët dhe të rinjtë;
  • prindërit, mësuesit dhe kujdestarët;
  • palët e interesuara të industrisë.

6.  Organizimi i 12 (dymbëdhjetë) seminareve online ku u realizua prezantimi i Udhëzimeve COP për fëmijët dhe të rinjtë në 12 (dymbëdhjetë) qarqe të Shqipërisë. Këto aktivitete u zhvilluan me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit, angazhimin e komuniteteve rinore në procesin e konsultimit mbi iniciativat e lidhura me mbrojtjen e fëmijëve në internet si dhe shfrytëzimin e aftësive të tyre digjitale.

7. Organizimi i 15 (pesëmbëdhjetë) seminareve online me prindërit dhe mësuesit në shkallë kombëtare në 12 (dymbëdhjetë) qarqe të Shqipërisë për të ndarë Udhëzimet COP për prindërit dhe mësuesit. Këto seminare synonin rritjen e numrit të prindërve, mësuesve dhe kujdestarëve me aftësi digjitale, në mënyrë që të jenë të aftë të mbrojnë fëmijët dhe të rinjtë në internet.

8. Realizimi i një broshure me këshilla për sigurinë në internet për fëmijët dhe të rinjtë. Kjo përmbajtje është shpërndarë në faqen zyrtare dhe në të gjitha kanalet e mediave sociale të AKCESK-ut, duke synuar ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe të rinjve online. Gjithashtu, njëqind kopje të broshurave janë ndarë me mësuesit dhe ekspertët e qeverisë, si dhe janë paraqitur si një version elektronik në fund të çdo aktiviteti.

9. Organizimi i 5 (pesë) seminareve me palët e interesuara për secilin nënsektor të industrisë, me qëllim rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit midis palëve të interesuara të industrisë në vend në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve në internet. Nënsektorët e industrisë janë përzgjedhur bazuar në ndikimin e tyre në mbrojtjen e fëmijëve në internet. Gjithashtu, seancat e trajnimit kanë pasur në fokus edhe ekspertët që punojnë në Njësitë e Mbrojtjes Sociale, sektorin të shëndetësisë dhe ofruesit e shërbimeve të internetit.

10. Organizimi dhe ofrimi i 5 (pesë) seminareve për profesionistët e TIK-ut mbi aftësitë përkatëse të kërkuara për të forcuar sigurinë në internet për fëmijët në kontekstin e fushave të fokusit të ITU-së.

11. Organizimi dhe ofrimi i 12 (dymbëdhjetë) aktiviteteve për ngritjen e kapaciteteve për mësuesit dhe ekspertët e qeverisë mbi aftësitë përkatëse të kërkuara për të forcuar sigurinë në internet për fëmijët në kontekstin e fushave të fokusit të ITU.

12.  Janë përgatitur dy raporte:

  • Raporti i Vlerësimit të Përparësisë në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve në internet që paraqet një analizë gjithëpërfshirëse të masave të sigurisë të miratuara për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtjet e paligjshme dhe të papërshtatshme në internet në nivel kombëtar.
  • Raporti mbi Planin e Zbatimit për Politikat e Mbrojtjes së Fëmijëve në Internet që informon mbi progresin e bërë nga qeveria në zbatimin e Politikës për Mbrojtjen e Fëmijëve në Internet në linjë edhe me Strategjinë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2020-2025, në Shqipëri.

AKTIVITETET

AKTIVITETE

Shtylla e parë: Zhvillimi i aftësive digjitale
Video Promovuese Për Fëmijët Dhe Të Rinjtë, Prindërit Dhe Edukatorët Dhe Palët E Interesuara Të Industrisë Në Nivel Kombëtar, Që Synojnë Të Rrisin Ndërgjegjësimin Për Kërcënimet Kryesore Me Të Cilat Mund Të Përballen Fëmijët Në Internet, Për Të Edukuar, Fuqizuar Dhe Këshilluar Fëmijët, Prindërit Dhe Edukatorët Dhe Industrinë Se Si Të Identifikojnë Dhe Zbusin Këto Rreziqe Dhe Të Krijojnë Një Hapësirë Të Sigurt Kibernetike, Si Në Shtëpi Ashtu Edhe Në Shkollë.
 
Fletëpalosje Me Njohuri Informuese Me Konceptet Kryesore Nga Udhëzuesit Për Mbrojtjen E Fëmijëve Në Internet. Qëllimi I Këtyre Fletëpalosjeve Është Të Rrisin Ndërgjegjësimin Në Nivel Kombëtar Për Aksesimin E Udhëzuesve COP Të Përkthyera Në Gjuhën Kombëtare.
Mesazh I Unifikuar Që Fokusohet Te Operatorët E Industrisë Dhe Synon Të Harmonizojë Politikat Dhe Rregulloret Ndaj COP Në Të Gjithë Vendin.
Fushata Në Mediat Sociale Që Promovojnë Projektin Nëpërmjet Shpërndarjes Së Materialeve Ndërgjegjësuese Me Qëllim Sigurimin E Mbulimit Të Gjerë Të Popullsisë
Workshope Online Dhe Fizikë Që Fokusohen Te Fëmijët Dhe Të Rinjtë Dhe Modulet E Trajnimit Për Trainerët, Prindërit Dhe Edukatorët Që Synojnë Të Rrisin Ndërgjegjësimin Mbi Rreziqet Dhe Kërcënimet Që Përballen Fëmijët Në Internet Si Dhe Të Mbështesin Zhvillimin Dhe Rritjen E Aftësive Dhe Njohurive Digjitale. Në Kuadër Të Këtyre Workshopeve Janë Zhvilluar Trajnime Me Manual Trajnimi Si Dhe Burime Shtesë Të Përshtatshme Për Fëmijët.
 
 
 
Shylla e dytë: Politika Mbështetëse për Mbrojtjen e Fëmijëve në Internet
Workshope Që Synojnë Operatorët E Industrisë Me Qëllim Rritjen E Bashkëpunimit Dhe Koordinimit Ndërmjet Palëve Të Interesuara Të Industrisë Në Nivel Kombëtar.
Workshope Online Që Targetojnë Profesionistët E ICT, Mësuesit Dhe Ekspertët E Fushës, Synojnë Të Lehtësojnë Zhvillimin E Njohurive Dhe Aftësive Të Nevojshme Për Zbatimin Dhe Përhapjen E Iniciativave Të ITU, COP Brenda Sektorëve Të Tyre.
Raportet E Vlerësimit Të Trajnimeve Që Targetojnë Fëmijët Dhe Të Rinjtë, Prindërit Dhe Edukatorët Si Dhe Palët E Interesuara Të Industrisë Duke Synuar Vlerësimin E Nivelit Të Ndërgjegjësimit Para Dhe Pas Zhvillimit Të Trajnimeve Duke Identifikuar Zgjidhje Për Të Përmirësuar Aktivitete E Ardhshme Dhe Rritur Bashkëpunimin Nëpërmjet Sektorëve